Ecja e ngutshme për në biletari pasqyroi pasiguritë e para të Likit. Katër ditë pasi u zyrtarizua liria e kosovarëve për udhëtimin pa viza drejt ‘‘Evropës’’, gjeta veten brenda një agjencie udhëtimesh në Prishtinë, në lagjen “Dardania”. Ishim brenda zyrës së biletarisë për të blerë një biletë autobusi drejt Gjermanisë – një zyrë që rrumbullonte nga zhurma e printerëve dhe përshpërimat e njerëzve. Shpejt vëmendja më shkoi kah të tjerët që ishin rreshtuar për bileta. Tinëz vjedhja psherrëtimat e rreshtit. Të rreshtuarit pyesnin me kërshëri e shqetësim njëri-tjetrin ‘‘a kanë udhëtuar më herët’’. Vërejta Likin që kishte një interesim të shtuar për këto biseda, gjasme edhe për të shuar pasiguritë e tij, pasi po udhëtonte për herë të parë jashtë shtetit.
‘‘Po thonë që në kufi të lypin sa para i ke me vete’’, ishte llafi që me qartësi e veçova nga një prej të rreshtuarve, por që të tjerët, me kërshëri dhe mëdyshje, angazhoheshin aty duke dëgjuar me vëmendje. Aty-pari ishte me mëdyshje dhe shqetësime edhe Liki, i cili nuk po përfshihej në biseda. Por tek ai pashë edhe një pjesë rebelimi – që më ngjante si akti i fundit i rebelimit të tij para se të jetonte në ‘‘botën e madhe’’, siç e quante ai, para se të ikte nga Kosova.
E dija që Liki do të ikte para se të ndodhte çlirimi nga regjimi i udhëtimit. Prandaj ishim marrë vesh qysh në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar që të bënim biseda të kohë-pas-kohshme dhe me qëllim që në të ardhmen të publikojmë një shkrim të kësaj ndërmarrjeje ëndërrash.
Liki, sot 24-vjeçar, ka punuar kamarier që kur e mban mend; dikur në Fushë Kosovë, e pastaj në Prishtinë. Kurrë s’ia ka parë hajrin angazhimit në atë lloj pune, ndonëse nisi të punonte nga mosha 16 vjeçare. Rrogat e ulëta dhe pasigurinë për ‘‘nesër’’ vazhdon ta përmend edhe sot. Më thoshte vazhdimisht se ka vite që ndjen peshën e një vendi që nuk ofron asgjë dhe përmend këtë si shtysën e fundit për t’i hyrë ‘‘udhëtimit të ëndrrave’’.
“Në Gjermani po du me shku me pa si është, tani me punu edhe atje si kamarier,” më tha nën ngutin e hapave drejt biletarisë.
“Jam i emocionuar, pak edhe i frikësuar,” më tha. “Nuk kam qenë asnjëherë jashtë shtetit’’, tani e vazhdoi si nën zë, “besoj që në Gjermani gjindem.”
Liki është djalë i revoltuar dhe e di boll mirë se liberalizimi i vizave që filloi të zbatohej më 1 janar të këtij viti, s’përkthehet në të drejtë pune, por vetëm për motive turistike në shtetet e zonës Shengen. Megjithatë refuzon ta quajë ilegale ndërmarrjen e tij. “Ata kanë nevojë për punëtorë dhe unë kam nevojë për punë. Nuk po i bëj dëm askujt,” thotë, duke u dukur sikur po justifikohet, dhe tani, si i mllefosur, lëshohet në historikun e shkeljeve të punëtorëve në Kosovë.
“Për kamarierë këtu në Kosovë s’ka rroga të mira, gjithë ato propagandat [e 1-2 viteve të fundit] për rritje rrogash janë rrena,” më tha Liki, sikur donte të arsyetonte mllefin dhe brenda fjalisë donte të shpjegonte se janë pesë anëtarë në familje, me prindër të divorcuar, dhe jetojnë me paga nën mesatare.
“Po shkoj me i ndihmu familjes… sado pak,” më tha, ballaz një punonjëse të biletarisë kur ajo u ofrua për t’ia marrë të dhënat për biletën një drejtimëshe për Gjermani.
Më 5 janar 2024, unë isha me Likin, krahas disa familjarëve të tij dhe nën rrëmujën e udhëtarëve që donin nxitoheshin t’i vendosnin valixhet në autobus. Pjesa më e madhe e udhëtarëve ishin mërgimtarë që po ktheheshin pas pushimeve, por nuk mungonin edhe plotë kosovarë që po udhëtonin për herë të parë. Atë përshtypje kisha.
Zhurma e valixheve që tërhiqeshin zvarrë dhe zërat e njerëzve që përpiqeshin të komunikonin përmes atij kaosi gati shpërthente në melankoli. Unë qëndrova i tërhequr – s’doja t’i bëja pyetje në ato momente, por prapë i thashë Likit, ‘‘kur ki qasje në internet, më mbaj të informuar gjatë udhëtimit’’. U përshendetëm pasi vërejta që shoferi po e kontrollonte për herë të fundit sinjalizimin e autobusit dykatësh që nisej nga Prishtina drejt Düsseldorf-it të Gjermanisë.
Në mbrëmje shkova në kafiterinë pranë rrethit të Fushë Kosovës, në atë lokal ku Liki kishte punuar deri dy ditë para nisjes. U takova me disa shokë të përbashkët me të, por më interesonin komentet e kolegëve të kafiçit ku kishte punuar Liki. “Mirë ia ka bërë vallahi, pse mos të provosh, tani është më kollaj pasi na hiqen vizat,” më tha Agimi – djali që punonte në banakun e kafiterisë, ndërsa pothuajse të gjithë pohonin se po të siguronte dikush punë në Gjermani, do të shkonin pa mëdyshje.
Kur u ktheva në banesë, mora mesazhin e parë nga Liki, i cili më kishte informuar se porsa kishte hyrë në Kroaci, duke ndarë detajet e ndalesave të tij dhe vështirësitë e rrugës. “8 orë kemi pritur në kufirin Kosovë-Serbi,” më kishte shkruar ai rreth një ore para se ta shihja mesazhin.
Disa minuta më pas, iu përgjigj pyetjes time se a e kishin pyetur kufitarët kroatë se “ku po shkonte?”. “Po, më thanë ku je duke shkuar, u thash te axha në Gjermani dhe ma dhanë vulën,” kaq më kishte shkruar Liki, me të cilin nuk isha dëgjuar më derisa kishte arritur në Austri, ku ishte ndeshur me një kontroll më të rreptë të kufirit. “Na kanë kontrolluar krejt koferat,” më thoshte ai, duke shtuar se atij dhe një vajze i kishin kërkuar adresën se ku do të qëndronin, “por nuk më pyetën sa para kam me vete,” përfundonte mesazhin Liki, dhe unë e ndjeva se ai po ndihej “i çliruar” pasi e pashë që nga biletaria se po e përjetonte si presion ndalesat dhe pyetjet e kufitarëve.
Më 6 janar 2024, Liki kishte arritur në Gjermani, me Düsseldorf si destinacionin e fundit të autobusit para se të nisej për në Köln. Më kishte lënë një mesazh se xhaxhi i tij e kishte pritur në Düsseldorf dhe se gjithçka kishte shkuar në rregull gjatë udhëtimit. I kërkova një përshtypje të parë për Gjermaninë para se ta ndërprisnim komunikimin për disa ditë. “Vend i pastër, i organizuar, më pëlqen,” më tha shkurtimisht dhe më tregoi se me ndihmën e familjarëve atje, punën do ta niste menjëherë pas mbërritjes në Köln – një qytet i madh me mbi 1 milion banorë ku edhe shumë shqiptarë kanë shkuar për të gjetur një jetë më të mirë. U interesova të kuptoj se sa shqiptarë nga Kosova jetojnë në Gjermani, por asnjë referencë e kërkimeve në internet nuk po tregon shifrën e saktë. Megjithatë, sipas matjeve të fundit nga Instituti GAP – një think tank që kryen hulumtime dhe monitoron institucionet publike, tregonte se në Gjermani jetojnë 542 mijë persona me sfond migrimi nga Kosova, nga të cilët 300 mijë kanë lindur në Kosovë.
Mirëpo, më duheshin edhe statistikat nga Aeroporti i Prishtinës. Disa publikime të tyre më thanë se janari i vitit 2024, në krahasim me vitin 2023, kishte shënuar një rritje të konsiderueshme të fluturimeve dhe udhëtarëve. Nga 808 fluturime të janarit të vitit të kaluar, tani ishin 996 për këtë janar. Po ashtu, numri i udhëtarëve kishte kaluar nga 235 mijë e 576 në 287 mijë e 205, që përbën një rritje prej 21.9 për qind. Statistikët e udhëtimeve përmes autobusit nuk i gjeta.
Kur rifilluam kontaktet me Likin, më tregoi se kishte filluar punë si kamarier dhe shankist në një lokal të vogël. Më tha se në punë shkonte me biçikletë, një rrugë 15 minutëshe nga vendi ku po qëndronte. Liki më dha bindjen se ai ishte plotësisht i përkushtuar për të shfrytëzuar çdo mundësi që i jepte kjo punë. Por, në çdo diskutim me të, ai nuk mund të anashkalonte krahasimet me Kosovën. Për çdo përvojë të re, për çdo ditë pune, për çdo bisedë me kolegët gjermanë, gjithmonë kishte një “në Kosovë kështu s’ka qenë” ose “këtu është më mirë se atje”. Më thoshte se ndihej i respektuar dhe i ndihmuar, ndonëse e dinte se kjo punë ishte e përkohshme. Kjo dukej si një hap i rëndësishëm për të përmbushur aspiratat e tij.
Liki kishte një avantazh të madh në Gjermani sepse e kuptonte dhe e fliste gjuhën gjermane në një nivel të kënaqshëm. Ishte diçka që e kishte mësuar vetë. Më tha se kishte ndjekur disa kurse në Kosovë dhe filmat në këtë gjuhë e kishin ndihmuar. “Gjermanët ndihen mirë kur dikush i huaj ua flet gjuhën e tyre,” mbaj mend të më ketë thënë Liki. Kjo e kishte ndihmuar shumë edhe në raport me klientët që shërbente.
Në Köln, Liki kishte qëndruar në shtëpinë e xhaxhait të tij, një apartament i vogël në një lagje punëtorësh. Më tregonte se lagjja ishte plot me njerëz të kombësive të ndryshme – një përzierje e shumë kulturave që bashkëjetonin në një qytet të madh evropian. Liki e përjetonte këtë si një eksperiencë të re dhe ndonjëherë të çuditshme. Kafiterinë ku punonte e përshkruante si të vogël, me pak tavolina dhe një klientelë të përhershme, me disa prej të cilëve tashmë kishte krijuar miqësi. Ai përshkruante ditët e tij të gjata në punë, duke filluar herët në mëngjes dhe duke përfunduar vonë në mbrëmje.
Rutina e përditshme e Likit në punë fillonte herët – para se të zgjohej qyteti. Më tregonte se dilte nga apartamenti i tij rreth orës 6:30 të mëngjesit, kur rrugët ishin pothuajse të zbrazëta. Me një çantë të vogël në krah, ai ngjiste biçikletën e tij dhe përshkonte rrugët e qeta të lagjes për të arritur në kafiterinë që ndodhej rreth 15 minuta larg nga vendi ku banonte. Punën e fillonte në ora 7:00 dhe kishte klientët e banorëve të zonës, punonjës zyrash dhe disa studentë. Liki kishte marrë përsipër detyrat e një shankisti dhe kamarieri.
Jeta jashtë punës për të ishte e qetë dhe e thjeshtë. Pas përfundimit të punës, ai kthehej në apartamentin e tij. Lagjja e qetë ku banonte nuk të ftonte për shumë aktivitete pas një dite të gjatë pune. Rutinën e kalonte kryesisht duke parë televizor ose duke biseduar me të afërmit në Kosovë. Në vikende, ai shpesh shëtiste përmes urave të mëdha mbi lumin Rhein – një rrjedhë 1,230 kilometrëshe që kalon përmes Zvicrës, Gjermanisë dhe Holandës. Por Gjermaninë, Liki e përshkruante si një vend me ritëm të ngadaltë, të qetë, por me stabilitetin që ai kishte kërkuar për një kohë të gjatë. Kultura e qetë gjermane dhe ritmi i ngadaltë që përshkroi Liki, krijonte një kontrast të mprehtë me atë që kishte lënë pas në Kosovë. “Këtu mu ka qetësu edhe krytë”, ma thoshte shpesh.
Edhe pse migrimi i kosovarëve vazhdimisht është lexuar me theks kritik e shqetësues, politikat e reja për liberalizimin e vizave dhe kërkesat për punëtorë të rinj në Gjermani kanë bërë që shumë persona të kenë mundësi më të mëdha për të siguruar kontrata pune dhe për të ndjekur qëllimet e tyre. Këtë po e bënte edhe Liki, i cili me kalimin e javëve, filloi të ndiente një ndryshim të lehtë, por të qëndrueshëm në jetën e tij financiare. Çdo rrogë që merrte nuk përfundonte më vetëm për të mbuluar nevojat e tij themelore; tani kishte mundësinë të kursente pak. Kjo ishte një ndjesi e re për të, diçka që nuk e kishte përjetuar më parë në Kosovë, ku çdo qindarkë duhej të planifikohej me kujdes.
Një pjesë e parave të kursyera filloi të dërgohej rregullisht tek familja në Kosovë. Kjo gjë i dha Likit një ndjesi të thellë krenarie dhe përgjegjësie. Për herë të parë, ai ndjente se po kontribuonte në përmirësimin e jetës së të dashurve të tij, dhe kjo e përmbushte dhe mbushte me një ndjenjë të re të qëllimit.
Ai paguhej rreth 2,000 deri në 2,200 euro në muaj, të gjitha këto para i merrte në dorë. Kjo ishte e vetmja mundësi që kishte për të përfituar nga punësimi i tij, pasi nuk kishte të drejtë të punonte legalisht në Gjermani. Pagat e tij u jepeshin në formë të gatshme për të shmangur çdo problem me autoritetet, duke e mbajtur atë në një situatë të pasigurt. Megjithatë, kjo praktikë i lejonte të fitonte më shumë sesa në Kosovë, ku rrogat për punë të ngjashme zakonisht ishin shumë më të ulëta.
Më 3 prill të këtij viti, Liki më njoftoi se ishte kthyer në Kosovë. Kjo dukej si një fazë e re në jetën e tij, e cila filloi me rifillimin e punës si kamarier në një kafene të njëjtë ku kishte punuar në Fushë Kosovë, tashmë me disa kursime. “Duhet me shku prapë,” më tha kur u takuam.
Pas disa muajsh në Kosovë, ai kishte vendosur të kthehej në Gjermani në fillim të gushtit të këtij viti, por këtë herë me një ndryshim të rëndësishëm. Procesi i marrjes së vizës së punës kishte bërë shumë më të lehtë për kosovarët, falë liberalizimit të vizave dhe nevojës së shtuar të Gjermanisë për punëtorë të rinj nga jashtë. Liki kishte arritur të sigurojë një kontratë pune dhe të regjistrohej në mënyrë ligjore – një hap i rëndësishëm që i jepte mundësinë të rifillonte jetën e tij në Gjermani. Liki tani punon përsëri në kafenenë e njëjtë të Kolnit. Ai nuk është më një emigrant i fshehur.
Liki* është shkurtesa e emrit të plotë të personazhit
Mbi autorin
Halim Kafexholli i ka kryer studimet baçelor për gazetari në Universitetin e Prishtinës. Halimi ka punuar në revistën Prishtina Insight të organizatës BIRN Kosovo. Ai po ashtu është përfitues i programit Bursa në Gazetari për të Drejtat të Njeriut (cikli 2018 dhe 2020) nga Kosovo 2.0 dhe pjesë e shumë bashkëpunimeve me këtë medium. Ka punuar si gazetar në gazetën Nacionale dhe është themelues i Institutit Bllok.
Fotografitë: Halim Kafexholli
Ky publikim është i mbështetur nga European Endowment for Democracy (EED)
Qëndrimet në artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.