fbpx

Tre shokët ishin në dilemë. Përditshmëria u lidhej ngushtë me kafen poshtë zyrës së organizatës së tyre. Mëngjesin zakonshëm e nisnin me kafe dhe shpesh aty hanin kafjallin, ndërsa vaktin e drekës e hanin aty gati përditshëm. Zakonshmëria e ambientit sikur u preku pavetëdijën, sa takimet e punës me palë pamenduar i caktonin aty. Vlugu i mushterinjve dhe kalimtarët përreth i joshte dhe lakmia e shokëve nisi të kanalizonte joshjen si mundësi biznesi. Ngashënjimi u përforcohej nga pozita e objektit të kafes.

Kafja do ishte përditëshmëri e imja për mbi një muaj – jo si myshteri por si kamarier.

Kafja shtrihet nën hijen e objektit gjigant të Postës dhe Telekomit të Kosovës në Prishtinë në lagjen Dardania. Aty janë qindra të punësuar dhe me rroga të lakmueshme, në ditë qarkullojnë qindra qytetarë për shërbime, e në tri anët rrethohet me ndërtesa kolektive me mijëra banorë. Kafja me dy kate, secili me mbi 170 metra katror, organizohet njëtrajtshëm mes tri kolonave me prerje muresh për hyrje-dalje e ndërveprim të tavolinave – përderisa katet i lidhin shkallët e përziera me xham, dru e çelik që anojnë kah pjesa e fundme e lokalit gati ngjitur me banakun. Mbrapa është kuzhina me rreth 40-50 metra katrorë, e ngjitur saj qëndron një zyrë e ngushtë. Në anën e djathtë të shankut janë dy nevojtore me një korridor të ngushtë para që ka edhe një ‘depo’ ngjitur.

Dy katet ndriçohen me dritë natyrale përmes dritareve të mëdha që plotësojnë fasadat e të dyja kateve. Në katin e parë janë të organizuara 15 tavolina te rrethuara me karrike, e tek i kati i dytë diç më shumë tavolina. Terrasa flladitet nga hijet e ndërtesave gjigante në tri anët, e rrymimi i ajrit përmes skutave të kompleksit banesor, i bën mbi 10 tavolinat e terrasës jashtëzakonisht të freskëta përgjatë ditëve të nxehta në Prishtinë.

Nën logjikën e biznesit, pozicioni i lokalit, qarkullimi i njerëzve andej-pari, hapësira, kushtet natyrore, investimet shtetërore në infrastrukturën përrreth, si dhe potenciali i së ardhmes e bënin lokalin tmerrësisht të përshtatshëm për investime e biznes.   

Tre shokët zyrtarizuan ambicien në nëntor të 2022-tës kur regjistruan biznesin në emër të tyre me kapital 50 mijë euro dhe të ndarë në përqindje të barabartë. S’ia kam idenë si arritën t’i bindin pronarët e mëhershëm për t’u shitur biznesin, por kafen e re do e quaj në shkrim ‘‘Kafja me tri harqe’’, i ngacmuar nga tre shokët.

Në së paku tre muaj e fundit të vitit 2023 po kërkoja intensivisht punë si kamarier. Doja të nisja një hulumtim për vendin e punës së kamarierëve, të shoshitja dinamikat e punës brenda atij kozmosi. Të shihja dinamikat mes punëtorëve e myshterinjve, mes punëtorëve të kafes, e ndërveprimet mes trinomit punëtorë-myshterinj-pronarë. Konceptin e hulumtimit e kisha shkruar kohë më parë dhe prisja momentin e përshtatshëm për ta materializuar. Gjatë po qartësohej se më në fund kosovarët do udhëtonin pa regjim të vizave nëpër zonën Shëngen pas një izolimi të gjatë.

S’la pronar biznesi a punëtor, media a gazetar, politikan a parti politike, institut a ekspert, organizatë a aktivist, komentues a meme-ist pa lëshu ndonjë llaf, analizë a tallje – debati derdhej kryesisht tek rreziku që Kosova të mbetej pa punëtorë. Të fundit, kryesisht, talleshin dhe procesin e shihnin si revansh – më në fund zoti po ndërhynte për hakun e punëtorëve. Ekonomistët shastiseshin nga pasojat e ikjes eventuale të fuqisë punëtore, ndërsa pronarët ankoheshin se ashtu-kështu me vite përballen me mungesë të punëtorëve. Nëpër media të zakonshëm ishin lajmet në stilin ‘‘Biznismeni: 500 euro rrogë, s’po lajmërohet askush’’, përderisa veç ndryshonin shifrat e pagave. Dikur lajmet u orientuan se qysh ‘‘mërgimtari invenston në vendlindje’’ dhe tregime se si s’është lehtë as ‘‘atje’’.

‘‘Kur po reagon Shoqata e Gastronomëve thua ti po reagon Këshilli i Sigurimit’’, ishte cinizmi i një shokut tim për artikulimet e shpeshta të shoqatës.

Qysh nëntor-dhjetor isha në kërkim të një pune si kamarier; doja të kapja dy periudhat; ‘‘para-pas liberalizimit’’ – kryesisht në ndonjë kafe në Prishtinë. Paniku e llafet e përhapura në ato muaj për ikje të punëtorëve s’më rezultuan me lehtësi në gjetjen e punës. Algoritmet e rrjeteve sociale më ndihmonin në gjetjen e konkurseve onllajn dhe aplikova në disa prejt tyre. Në shumicën e rasteve nuk merrja përgjigje, e kur e kthenin ishin të tilla të zakonshme sikurse: ‘‘njëherë-për-njëherë jena mirë me staf’’ disa më lajmëronin. Dikur nisa t’u telefonoja dhe më thirrën në intervista të punës, por si mundësi punësimi ishin të papërshtatshme për parametrat e hulumtimit: ishin me dy punëtorë, me mua bëheshin tre, kafe pranë mahallave dhe me sipërfaqe të vogël vepruese dhe me pak myshterinj. Redaktori i hulumtimit insistoi se s’paraqisnin mostër të mirë hulumtimi.

T’u dështu në konkurse onllajn dhe gjendur ngushtë në kohë nisa t’i porosisja në ndihmë shokët e shoqet. Nisur nga eksperiencat e punësimit të mëhershëm, e dija që në Kosovë më lehtë merr vendin e punës po të rekomandoi dikush; dikush njeh dikë, e pyet atë që e njeh dikë, apo dikë që e njeh dikë krejt tjetër, dhe ai/ajo që njeh dikushin mund të të rekomandoj tek dikush dhe kështu dikush mund të të thirrë, apo të rekomandon, tek vendi i punës. Kjo më së shumti vlen për sektorin e gastronomisë. Ca pronarë kafesh dyshonin, më shumë se nuk isha i zoti i punës se për tjera, dhe më thonin, përmbledhurazi, ‘‘jena rehatu me staf.” Ca më sugjeruan të provoja në kafe tjera, se  aty ‘‘lypin vazhdimisht punëtorë’’, ‘‘kanë punë, nashta ju duhen’’ por kjo më dukej më shumë sa për t’më hek qafe e për t’na mbetur një llaf i mirë sesa me kry punë.

Ama viti i 2024 nisi me nafakë. Një natë të vonshme të mesit të janarit një shoqe më dërgoi një mesazh.

‘‘Këqyre qeto’’, shkruante aty, përderisa më përcillte një fotografi me postim Fejsbuk-u e shtonte ‘‘Koka edhe hajgarexhi’’.

‘‘Ndodhi edhe kjo’’, thuhej në postimin që e mora screenshot. Nisej me ‘‘Hyhyhy’’ e shtohej ‘‘Erdhi dikush e lypi punë në ‘Kafja me tre harqe’*’’ dhe kryhej me emoji t’u zgërdhi.

E lypa dhe e gjeta autorin e postimit. Kish’ qenë Trimi*, një personazh i njohur në publik, por që unë s’e njihja atë kohë. I dërgova kërkesë për miqësi në Fejsbuk dhe më pranoi thuajse menjëherë. Me redaktorin tim biseduam, po atë natë, dhe, përmbledhurazi, vendosëm të presim dhe të shohim qysh duket kafja, ku gjendet, përafërsisht sa punëtorë i ka – pasi duke parë fotografitë e kafës të shpërndara në Fejsbuk mund të diktosh sa punëtorë janë të punësuar – apo edhe biseduam a ‘‘ta thërras apo t’i shkruaj mesazh’’. Redaktori më diktoi t’i shkruaj që nesër dhe ashtu u bë, por fillimisht po kontrolloja komentet në postimin e Trimit, pasi ishin me bollëk dhe me mbi 70 reagime në postim, kryesisht me emoji t’u u qesh.

‘‘A e more?’’ – ishte komenti i parë, çka më interesonte edhe mua.

– ‘‘Po tybe, menjëhere’’, përgjigjej Trimi.

‘‘Pash Zotin e të veti sa e kom rrogën’’, ishte komenti tjetër.

– ‘‘Vallahi në fund krejt, edhe kjo ke arsyeja kryesore që e mora’’ përgjigjej Trimi në fund me emoji që bënte me sy e me faqet e skuqura.

Komentet vlonin në postimin me mbi 70 pëlqime, kryesisht duke u zgërdhi. Njëri shkruante se gjasat janë që ai ka qenë i papunë, koment që edhe sot s’arrij ta dëshifroj. Një këngëtare e njohur komentonte ‘‘S’jam t’u besu’’përderisa emoji i qeshte me lotë në faqe. Një komentues tjetër këshillonte ‘‘veq test u kane, me ju testu juve pronarëve qysh po reagoni’’. Njëri e kish’’ marr postimin super-seriozisht dhe komentonte mbi dy paragrafe të çakorduara, por m’u largua vëmendja për ta çuar leximin deri në fund.

Vëmendjen ma ktheu një anekdotë.

‘‘Tufën vjerrë e bothën shtjerrë’’, përderisa insistohej ‘‘e ranë për neve me kërku punë’’.

‘‘Ja ja kanë ndrru goxha për të mirë’’, përgjigjej Trimi dhe i zgërdhihej anekdotës me emoji.

Dikush që ia kishte hatrin i shkruante ‘‘Te shefi i mir, lypet puna. Respekte’’, e një tjetër ishte në dilemë dhe bënte llogaritë ‘‘a të kthehej nga Gjermania, por ishte një koment-pyetje që më rriti vëmendjen edhe më shumë:

 ‘‘Allahile kalzona rrogen sa ja dhe, mos na le zhig’’.

-‘‘400+tatimet’’, përgjigjej Trimi.

‘‘Dashta me dit’ a u rahatove me punëtorë, apo ende ke nevojë për ndonjë punetor?’’, menjëherë i shkrova porosi Trimit.

_____________________

Me porosi zanore e qasje korrekte – ngjante në ato thirrjet promocionale – më tha se ende ju duhet një punëtor, qoftë kamarier, qoftë banakier. Pas do shkëmbimeve u dakorduam të takoheshin të nesërmen tek kafja kah ora 4 pasdite. Kur shkova më tha të flisja me Besmirin*, ortakun e biznesit të tij, por edhe ai s’ishte aty, përderisa banakierja Erona* që e ka porositur të më tregoj ‘‘që vjen për pak’’ më sugjeroi të ulem e të prisja tek një tavolinë afër banakut.

Ai hyri dhe erdhi direkt tek unë. U rehatuam dhe nisëm një bisedë sa për të biseduar diçka, por shpejt u kanalizua tek kafja. Po më tregonte shkurtazi se kafen më shumë e kanë për qef, se krejt ortakët janë mirë e rehat me vende pune e lekë – ai mbante dy vende pune – dhe se kafen e mbanin ‘‘[edhe] veç për shpenzime të veta’’. Aty hanin e pinin, e qarrosnin me kafe miqtë e bashkëpunëtorët e shpesh mbanin edhe takimet e punës së organizatës. Ideja ishte se përditshmëria iu kishte lidhur me kafen e thanë ta provojnë edhe me biznes. Por u kujdes shpaloste potencialin e kafes dhe se ‘‘na këtu punojmë si shokë, s’ka shefa e punëtorë, kem qef krejt baraz, jem biznes që punojmë me familjarë’’ dhe ‘‘sa të punojmë qaq fitojmë, krejt fitojmë sa punojmë’’.

‘‘Mundesh p’i nesër me ja nis’’ tani i ra shkurt, përderisa donte të dinte a isha i interesuar të punoja si banakier a kamarier. I thash që para të hënës së 22 janarit s’mundem pasi jam duke u zhvendosur me banesë. Ai pranoi dhe më tha që për kontratë dhe pagë të bisedoja të hënën me Kushtrimin*, ortakun tjetër të biznesit, por më tregoi se pesë ditët e para janë provë.

______________________

Më 22 janar 2024, në ora 10 paradite, nisa punën si kamarier undercover.

Që në ditën e parë të punës isha në dilemë të madhe a mundem me vazhdu. Herën e fundit që punova kamarier ishte mbi nëntë vjet më parë dhe e dija çka të pret aty. Bile, një natë përpara, më kapi sikleti për rikthim në zanatin e vjetër aq sa gjumi mu vështirësua. ‘‘A jam i zoti i punës’’ e mendova përgjatë natës aq sa në mëngjes isha me pak gjumë. Me pak gjumë, një orë udhëtim me autobus dhe mbi 30 minuta ecje të shpejt, pasi unë gjithmonë jam vonë, para orës 10 të mëngjesit mbërrita tek ‘‘Kafja me tri harqe’’.

Atë ditë ishte hera e parë që takova Dennin*. Një djal nga Gjakova i kuruar deri në detaje, me 10-15 centrimetra e më 20 kg më shumë se unë dhe gati 10 vite më i ri se unë, i veshur me këmishë të bardhë me llogo të kafës mbi zemër e të futur si me zor nën xhinset e hekurosa dhe me patike të xixëlluar dhe që ma mori syrin një ngjyrë e theksuar portokalli. Parfumi i tij dallohej me frymëmarrjen e parë afër tij, gjithë i buzëqeshur dhe dukej se ishte me gjumë të mjaftueshëm, anipse punën e kish’ nisur në 7 të mëngjesit. Denni ishte kamarieri me të cilin do e ndaja orarin e punës, e ndërrova llaf më së shumti përgjatë muajit të ardhshëm.

Në shank punonte Erona*. Atë e njihja si fytyrë prej ditës kur u takova me Besmirin. Ai nuk ishte aty kur arrita unë dhe ajo më tha të ulem tek tavolina pranë banakut dhe të prisja pasi ‘‘Besi kah shku me ble diçka, po më kallëzoi me të thanë pritëm se s’vonohet shumë, qetu afër është’’, ishte llafi i parë që ndërrova me të, e tani më shërbeu me expresso që m’i qeli sytë, anipse s’o kafe e zakonshme për mua dhe s’di a mund të jap vlerësim qysh duhet për expresso.

Atë ditë punës ia nisa pak minuta para 10-ve të mëngjesit dhe Denni shkurt më tha ‘‘merre poshtë ti, se naltë pihet duhani e ka punë ma shumë. Deri sa të mësohesh’’ dhe nisi të më shpjegonte programin kompjuterik ku shënohen porositë, por u pengua shpesh nga myshterinjt që ngjiteshin për në katin e dytë.

Erona më tha ‘‘mos ta nin se të nimoj unë, so qaq ‘shtirë’’ dhe ‘‘të kallëzoj unë’’, por ajo s’mundi mu merr shumë me mua se porositë e Dennit për kafe e pije tjere veç i vinin një-pas-një.

Atë ditë m’u duk se dreka nisi më herët se kurdoherë tjetër.

Fillimisht shërbeva disa kafe e ca çaja në katin e parë, dhe ora e parë e punës s’u duk aq e vështirë, pasi duket se nuk e kisha harruar zanatin e vjetër, dhe myshterinjtë kryesisht preferonin të vazhdonin për katin e dytë, pasi aty pihej duhani dhe kish nisur një set me këngët e The Weeknd dhe po i dëgjoja ato, përderisa kati i dytë u popullua me myshterinj. Mirëpo, kah 11:30 gjithçka ndryshoi. Kati i parë nisi të mbushej me njerëz dhe, pos përshëndetjeve të zakonshme, kërkesat për menunë e ushqimit nisën të mbizotëronin. Tek-e-tuk lypej ndonjë çaj a kafe, e kërkesat për shpuzore të duhanit shpejt i preja me ‘’duhani s’pihet, veç naltë [katin e dytë]’’, shtesat rreth këtij muhabeti as s’i dëgjoja me vëmendje.

Kur nga kuzhina dolën pjatat e para nisa të ngatërrohem. Myshterinjt s’ishin mësu me iu shërby një nga një, për shembull nëse janë tre-katër prej tyne, tani buka, tani pjata tjera, të pamundur e kisha t’i mbaja përnjëherë. Paftësinë në shërbim të ushqimit e zëvendësoja me mirësjellje gati të tepruar – gjasat janë që atë ditë të kem thënë ‘‘përshëndetje’’, ‘‘ju bëftë mirë’’ apo ‘‘faleminderit’’ me mijëra herë – dhe sigurohesha që pijet t’u shërbeja shpejt e saktë, përderisa myshterinjt dukej se mirëkuptonin dhe shumë prej tyre më pyeten ‘‘sot dita e parë a?’’, ‘‘Hajde për hajr’’ apo ‘‘të shkoftë mbarë’’.

Sa po derdhja djersë keqas dhe Erona tentonte të më ndihmonte me programin e kompjuterit, Denni kohë-pas-kohe më ndihmonte me shërbim të pjatave me ushqime e t’u thanë ‘‘ohh koleg mos u brengos për këtë punë’’. Atë drekë një tjetër tavolinë nisi të më merrte vëmendjen. Pos kërkesave të veçanta për ushqimet, t’i shërbeja ujin në gota tjera e pa akuj e kërkesa nga më të ndryshmet, vëreja se njëri prej tyre po më vëzhgonte vazhdimisht. Aty ishte edhe kontakti i parë me Kushtrimin*, ortakun tjetër të biznesit, me të cilin do ulesha pas orës 6 pasdite për të diskutuar pagën, orarin e punës dhe kushtet tjera të punës në kafeteri.

(Vijon cikli i publikimeve)

Disa prej emrave të përdorur në artikull janë ndryshuar.

 Fotografitë: Ferdi Limani

 Ilustrimet: Arrita Katona

Mbi autorin

Ngadhnjim Avdyli ka kryer gazetarinë në Universitetin e Prishtinës. Kryesisht shkruan për politikë, qeverisje dhe drejtësi sociale. Ka punuar is gazetar për disa nga platformat më të njohura dhe serioze në vend.

Ky publikim është i mbështetur nga European Endowment for Democracy (EED)

Visited 1,326 times, 1 visit(s) today
Close