fbpx

Në mes të një situate të mbushur me probleme të dukshme dhe shpesh të injoruara nga institucionet, gjendja e punëtorëve në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese. Vdekjet në vendin e punës, aksidentet dhe informaliteti mbetën ende probleme të thella, me mbi 30% të punëtorëve që punojnë pa kontrata. Kurse raportet e fundit tregojnë se shkeljet e të drejtave të punëtorëve, përfshirë moskompensimin e pagave dhe shkeljet e orarit të punës, janë ende të zakonshme. Ligji i ri i punës, i cili është bllokuar në procedura për një periudhë të gjatë, është një tjetër faktor që kontribuon në pasigurinë dhe paqartësinë e situatës.

Në këtë kontekst të ndërlikuar, Kryeinspektori Hekuran Nikçi, i cili ka udhëheq Inspektoriatin e Punës për më shumë se dy vjet, ndan me ne realitetin e përditshëm të këtij institucionit. Ai ofron një pasqyrë të detajuar mbi sfidat dhe përparimet në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë, duke theksuar se situata është përmisuar por ende vazhdon të jetë komplekse dhe e vështirë se sa mund të duket në shikim të parë.

Në një intervistë për Bllok Magazinë, Nikçi thekson se ka ndodhur një rritje në numrin e inspektimeve dhe ka patur përparime në reduktimin e aksidenteve në vendin e punës, problemi dhe shkeljet më të mëdha ndodhin në sektorin e gastronomisë dhe tek rrejeti i supermarketeve, meqenëse institucioni që ky drejton më së shumti pranon ankesa nga këta sektor.

Kryeinspektori ka shpjeguar se inspektorët e tij janë të angazhuar në kontrollin e kushteve të punës në mediat dhe kanë shqiptuar gjoba për shkeljet e konstatuara. Megjithatë, ai ka bërë të ditur se, ndonëse ka mjaft raste të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve në media, përfshirë moskompensimin e orëve jashtë orarit dhe të festave, si dhe shkëputjen njëanshme të kontratës, gazetarët nuk janë gjithmonë bashkëpunues në raportimin e këtyre problemeve.

Në foto: Hekuran Nikçi

Bllok Magazinë: U bënë pak më shumë se dy vite prej që jeni në krye të Inspektoriatit të Punës. Si e gjetët këtë institucion?

Hekuran Nikçi: Po, unë punën si kryeinspektor i Inspektoriatit Qendror të Punës e kam filluar më 1 qershor të vitit 2022. Në Inspektoriat të Punës atëherë kam gjetur shumë sfida, ndër më baziket që nuk e kisha menduar që mund t’i gjej. Në Inspektoriat të Punës kam gjetur një kontroll tepër të dobët të brendshëm, kam gjetur numër të inspektimeve tejet të ulët dhe prezencë të inspektorëve të punës në terren tejet të vogël; kam gjetur numër të vogël të inspektorëve në të gjithë rajonet e Republikës së Kosovës, pra në shtatë rajonet vetëm 22 inspektorë të punës. Kam gjetur raste të shkallës së dytë, sepse ne kemi dyshkallshmërinë e vendimit – do të thotë shkalla e parë apo vendimi i inspektorit, dhe shkalla e dytë që është një Komision brenda Inspektoriatit Qendror të Punës, i cili pas një ankese që vjen nga pala, trajton vendimin e shkallës së parë. Kam gjetur vendime të shkallës së dytë me vonesë më tepër se një vit. Kam gjetur një logjistikë e cila është sfidë, por është në një gjendje më të mirë, e kam gjetur të degraduar – do të thotë të shkatërruar; kam gjetur hapësira të zyreve dhe të punëtorëve të Inspektoriatit dhe stafit tjetër administrativ në gjendje të mjerueshme; kompjuterë jofunksionalë e të vjetër, karrige e tavolina pune të thyera e kështu me radhë.

Nga 1 qershori 2022 e këtej, me një plan të zhvillimit strategjik të cilin e kemi trajtuar në fillim pasi e mora këtë detyrë, për 5 vitet e ardhshme, do të thotë një plan zhvillimor 2022-2027, i cili i ka gjashtë objektiva. Aty kemi paraparë të gjitha këto që i përmenda, por edhe të tjera me të gjitha këto objektiva të këtij plani se si ta mëkëmbim dhe ta zhvillojmë Inspektoriatin Qendror të Punës për të bërë mbikëqyrjen e të drejtave të punëtorëve në Republikën e Kosovës.

BLLM: A mund të flasim pak më konkretisht? Ju përmendet kontrollin, numrin e inspektorëve apo ankesat e trajtuara dhe të pa trajtuara. Institucioni që ju drejtoni tradicionalisht ka pranuar rreth 5 mijë ankesa në vit. A është rritur volumi i ankesave ose volumi i trajtimit të ankesave?

HN: Po, do të thotë ankesat nga qytetarët apo punëtorët janë rritur, dhe kjo ka rezultuar në hapjen e Inspektoriatit Qendror të Punës ndaj palëve të jashtme, me mediumet, me punëdhënësit e punëmarrësit, me organizatat ndërkombëtare, që përmes të gjitha këtyre, pala apo punëtori ka marrë një pasqyrë më të mirë se ku ndodhet IP-ja dhe për çka është ai. Kemi funksionalizuar linjën pa pagesë për të pranuar ankesa e kërkesa; kemi funksionalizuar adresën e-mail zyrtare për të pranuar ankesa dhe kërkesa.

BLLM: Gjëra teknike këto megjithatë, punë një ditore për t’i funksionalizuar?

HN: Po, po, por megjithatë, me funksionalizimin e këtyre dy mjeteve për të pranuar ankesa dhe kërkesa, me hapjen ndaj palëve të treta, punëtorëve, punëdhënësve, mediave dhe OJQ-ve, ne jemi bërë më të dukshëm, dhe si rezultat numri i ankesave ka pësuar një rritje të madhe. Dhe çdo ankesë që kemi pranuar nga 1 qershori 2022 e këtej është trajtuar brenda afateve ligjore. Për lëndët e shkallës së dytë, siç thashë, kur kam filluar kam gjetur me vonesë një vit. Nga mesi i vitit të kaluar – diku nga maji ose qershori i vitit 2023 – kemi arritur që t’i fusim në afat, dhe sot Komisioni i shkallës së dytë apo lëndët e shkallës së dytë i kemi të gjitha brenda afatit, dhe secila palë që parashtron një ankesë në shkallën e dytë, merr përgjigje brenda afateve ligjore.

BLLM: Kur jemi te ankesat e vendimet; një interpretim i Gjykatës Kushtetuese ka thënë se nuk është në kompetencën e IP-së dhe ka qenë praktikë e kundërligjshme vendimi për kthimin në punë ose jo të punëtorëve, kompensimin e të tjera, pra nuk i ka takuar dhe nuk i takon IP-së kjo çështje. Sa është komplekse kjo gjë, duke e ditur edhe zvarritjen e lëndëve në gjykatat tona?

HN: Po, e vërtetë, ekziston një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese i datës 16 dhjetor 2022. Ky aktgjykim, decidivisht, mes shumë çështjeve tjera trajton edhe kompetencën e Inspektoratit të Punës dhe ky aktgjykim bën interpretimin e Ligjit të Inspektoratit të Punës dhe Ligjit të Punës dhe tregon qartë, ashtu siç tregojnë edhe këto ligje, se cila është kompetenca e IP-së. Më herët, shumica e rasteve janë vendosur duke tejkaluar kompetencat e IP-së, sepse inspektori i punës nuk ka të drejtë të njohë të drejtën e palës për kthim në punë apo moskthim në punë, për kompensim të pagave apo moskompensim të pagave; këto janë kompetenca të gjykatave sipas neneve 78, 79 dhe 80 të Ligjit të Punës. Kjo sigurisht e ka komplikuar punën apo mbarëvajtjen e punës sipas ligjshmërisë brenda IP-së edhe pas ardhjes sime, por me publikimin e këtij aktgjykimi ka qenë shumë më e lehtë për mua si kryeinspektor, për vartësit e mi dhe për zyrën e Kryeinspektorit që të bëjmë mbikëqyrjen apo të bëjmë inspektime sipas ligjshmërisë në Kosovë. Ka pasur prapë tendenca, sidomos nga inspektorë të vjetër, që të bëhet ky tejkalim me arsyetimin se kështu jemi mësuar, por pas një kohe shumë të shkurtër edhe këto pengesa janë tejkaluar.

BLLM: Sa janë bashkëpunues punëtorët me Inspektoratin dhe cili është raporti i ankesave të sektorit privat dhe atij publik?

HN: Sektori privat ankohet më tepër, raporti është 5 me 1, do të thotë në pesë ankesa, katër janë të sektorit privat.

BLLM: Sa janë bashkëpunues, sepse nëse janë 5 mijë ankesa në vit, dhe diku kemi rreth 300 mijë të punësuar formalisht në Kosovë, megjithatë statistikat pastaj japin përshtypjen se nuk jemi aq keq me të drejtat e punëtorëve. Tash ose është puna mirë ose ka ankesa pak?

HN: Nëse e krahasojmë me periudhën e mëhershme, ankesat janë trefishuar dhe ky trefishim vjen si rezultat i asaj që e përmenda më herët. Do të thotë, me hapjen e IP-së, promovimin e tij, promovimin e punës së Inspektoratit, prezenca më e madhe e inspektorëve në terren, etj. Sepse kur inspektori i punës viziton për të inspektuar një subjekt juridik, aty stafi dhe punëtorët e marrin vesh dhe thonë: “edhe unë kam një ankesë”, “dua edhe unë të ankohem”. Dhe kështu ngadalë ne po mundohemi ta kthejmë besimin e Inspektoratit Qendror të Punës tek punëtorët, sepse besimi i punëtorëve të Republikës së Kosovës ndaj IP-së ka qenë shumë i zbehtë, dhe ne po mundohemi që ta fuqizojmë besimin me punën tonë të përgjithshme që jemi duke bërë me prezencën e inspektorëve në terren, me trefishimin e numrit të inspektimeve, dyfishimin e numrit të inspektorëve, dhe nëse keni dëgjuar, me uljen e aksidenteve në vendin e punës apo me uljen e rasteve me fatalitet në vendin e punës. Deri tani, kemi vetëm një rast fataliteti në vitin 2024, që është një sukses i madh.

BLLM: Vetëm një rast ka në këtë vit deri tani?

HN: Vetëm një rast ka deri tani në këtë vit, dhe nëse e krahasojmë me vitet paraprake, përshembull në vitin 2022 kemi pasur 15 vdekje, në vitin 2023 kemi pasur 11 vdekje dhe këtë vit kemi vetëm një rast dhe po futemi në muajin e tetë.

BLLM: Aksidentet në punë?

HN: Nuk i kam tani statistikat e sakta, por kemi shumë më pak se në vitet e kaluara. Këto raste vijnë kryesisht nga sektori i ndërtimtarisë dhe çka kemi bërë ne që t’i ulim rastet e tilla në këtë sektor është që bëjmë vëzhgim javor të çdo rajoni, të çdo qyteti, çdo vendi dhe çdo subjekti që është në ndërtim, për të inspektuar kushtet e punës në ndërtim, dhe kjo ka rezultuar shumë efikase sepse këtë vit kemi vetëm një rast me fatalitet në vendin e punës.

BLLM: Sa inspektorë janë rekrutuar prej se e keni ju mandatin?

HN: Nga shtatori i vitit 2022 deri në fund të vitit 2023, ne kemi rekrutuar 43 inspektorë të rinj të punës, duke e ngritur numrin total në 64 inspektorë të punës. Me rritjen e këtij numri është rritur edhe numri i inspektimeve në terren, dhe rrjedhimisht është rritur numri dhe prezenca e inspektorëve në terren. Vetëm vitin e kaluar, në vitin 2023, kemi pasur 8,114 inspektime. Nëse e krahasojmë me vitin 2020, kur kemi pasur 3,800 inspektime, në vitin 2021 ishin 3,022 inspektime, dhe në vitin 2022, kur kam filluar unë, ishin 6,316 inspektime. Dua t’ju informoj se nga janari në maj të vitit 2022 kemi pasur vetëm 1,600 inspektime, ndërsa nga qershori në dhjetor ky numër është rritur në mbi 6,000. Në Inspektoriatin e Punës për herë të parë është arritur edhe targeti i Agjencisë për Reforma Evropiane, i cili ishte 6,000 inspektime, dhe e kemi tejkaluar këtë target. Në vitin 2023 kemi realizuar 8,114 inspektime, ndërsa këtë vit do ta kalojmë mbi 10,000.

BLLM: A janë përkthyer këto në disiplinimin e punëmarrësve?

HN: Po, po, sigurisht!

BLLM: Sepse ka ekzistuar një përshtypje se numri i inspektorëve do ta përmirësojë automatikisht ambientin e punës, por megjithatë nuk e di nëse është vetëm ky element. Ekziston një shprehje: “pyllin e ruan frika, jo rojtari.” Për shembull, në SHBA mesatarisht ekziston një inspektor për rreth 70 mijë punëtorë. A kuptoni se çfarë dua të them? Pra, nuk është vetëm ashpërsia e prezencës, por edhe vetëdija për Inspektoriatin?

HN: Po, sigurisht. Ne, në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare dhe organizata vendore joqeveritare, mundohemi që paralelisht me inspektimet të rrisim vetëdijen. Çdo inspektim është një mundësi për vetëdijësim; çdo inspektor që viziton një subjekt, e ndihmon atë të kuptojë më mirë të drejtat dhe detyrimet. Përveç kësaj, kemi organizuar fushata vetëdisuese, të cilat janë të ekspozuara në rrjetet sociale dhe nëpërmjet spoteve televizive. Së fundmi, kemi pasur një spot në Radio Televizionin e Kosovës për sektorin e ndërtimtarisë, si dhe kemi përdorur broshura dhe materiale të tjera. Këtë vit kemi lansuar fushatën vetëdisuese “Bashkëbisedim për vetëdisim”, e cila ka për qëllim të takohet me punëdhënësit nga sektorë të ndryshëm dhe të diskutojë me ta për shqetësimet dhe problemet që kanë, si dhe për të sqaruar çdo dilemë në lidhje me zbatimin e Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe Ligjin e Punës, në mënyrë që të sigurojmë që të drejtat e punëtorëve të respektohen si duhet.

BLLM: A i ka injoruar pak sektorët e tjerë fokusi i madh në sektorin e ndërtimtarisë?

HN: Hmm… Ndoshta jo, sepse sektori i ndërtimtarisë është sektori nga i cili pranojmë më së paku ankesa. Ankesat më së shumti vijnë nga sektorë të tjerë. Pse? Sepse në sektorin e ndërtimtarisë, punëtorët shpesh nuk kanë aq të zhvilluar një qasje ose vetëdijesim për të parashtruar një ankesë si në sektorë të tjerë. Përveç kësaj, ndodhin më shumë raste me fatalitet në këtë sektor. Nuk është se sektorët e tjerë janë anashkaluar; ne bëjmë inspektime të rregullta edhe në ato sektorë. Megjithatë, numri i madh i ankesave nga këta sektorë mundëson që edhe këto sektorë të mbulohen nga prezenca jonë.

BLLM: Cili sektor konkretisht është më i ekspozuar në shkelje?

HN: Sektori i gastronomisë dhe rrjeti i supermarketeve janë sektorët që kryesojnë me ankesa.

BLLM: Çfarë konkretisht janë shkeljet që u bëhen punëtorëve në këto supermarkete?

HN: Shkeljet përfshijnë shkëputjen e njëanshme të kontratës, moslejojjen e qasjes në pushim vjetor ose mjekësor, moskompenzimin e pagës, moskompenzimin e punës gjatë vikendeve, jashtë orarit të punës dhe festave zyrtare, etj.

BLLM: Janë disa rrjete të mëdha të supermarketeve që të gjithë i njohim. A mund të përmendni ndonjë emër konkret?

HN: Nuk kam emra specifikë për secilin, por jemi prezent tek të gjithë për t’i vetëdijësuar që të respektojnë ligjet e punës në nivele më të larta të mundshme. Po, të gjithë bëjnë shkelje në një farë mase.

BLLM: Personat që punojnë si shoferë, për shembull, taksistë apo shoferë autobusash, a janë këto raste që ndodhin vetëm si aksidente rrugore dhe jo aksidente në vendin e punës ose vdekje në vendin e punës?

HN: Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë nuk e klasifikon vdekjen në komunikacion si vdekje ose aksident në vendin e punës. Kështu është përcaktuar në ligj.

BLLM: Çfarë po ndodh me Ligjin e Ri të Punës që nuk po arrin të kalojë në miratim?

HN: Ligji i Ri i Punës është ende në procedurë.

BLLM: Po, po, është në procedurë prej kohësh!

HN: Po, është në procedurë edhe para se të filloja unë në këtë detyrë. E di që Ministria dhe qeveria janë të angazhuara për ta ndryshuar. Ligji ka disa defekte dhe është i vjetër, kështu që besoj që do të kalojnë ndryshime të nevojshme.

BLLK: Besoni?

HN: Po, absolutisht.

BLLM: Të flasim pak për informalitetin? Sipas statistikave të ASK-së dhe raporteve të OJQ-ve, rreth 30 për qind e të punësuarve janë pa kontrata. Informaliteti e pamundëson identifikimin e shkeljeve ndaj punëtorëve. 

HN: E saktë. Kur nuk ka kontratë, është e vështirë të mbrohen të drejtat e punëtorëve, sepse baza për mbikëqyrjen e të drejtave është kontrata e punës, dhe kur ajo mungon, nuk dihet as çfarë të drejte është shkelur. Informaliteti sigurisht që është një problem, por siç kam thënë edhe më herët, numri i inspektimeve është rritur trefish, si dhe prezenca e inspektorëve. Rastet e informalitetit këtë vit janë shumë më të pakta krahasuar me dy vitet e kaluara. Ne kemi një bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës që na informojnë për punëtorët pa kontrata, dhe ne i njoftojmë ata për punëtorët e pa deklaruar. Ka një rënie të trendit të punëtorëve që ne hasim pa kontrata apo të padeklaruar në ATK. Mendoj që ndoshta brenda një kohe të shkurtër, ndoshta disa viteve, informaliteti nuk do të jetë më një problem i madh në Republikën e Kosovës. Problemi më i madh do të jetë zbatimi i kontratave nga punëdhënësit dhe punëtorët, sepse ajo është një marrëveshje dyanshme.

BLLM: Sa është ekzpozimi i fëmijëve në punë?

HN: Ne si Inspektoriat i Punës nuk hasim shpesh raste të fëmijëve në punë ose eksploatim të fëmijëve siç i përdorin organizatat ndërkombëtare që na monitorojnë. Ne bëjmë mbikëqyrje edhe në sektorin e bujqësisë, ku ndodhin raste kur fëmijët punojnë. Megjithatë, nga inspektimet që kemi kryer, kemi hasur vetëm dy-tre raste të tilla.

BLLM: Kryeinspektor, a keni staf profesional dhe cilat janë kushtet për rekrutimin në këtë pozita?

HN: Kriteret për t’u rekrutuar si inspektor nuk janë shumë të larta; kërkohet një diplomë fakulteti dhe dy vjet përvojë pune. Si rezultat i këtyre kritereve, që mendoj se nuk janë shumë të larta, inspektorët që kemi rekrutuar, përfshirë 43 të rinjtë që kemi angazhuar, shpesh nuk janë në nivelet e kënaqshme profesionale. Pavarësisht trajnimeve që ofrojmë, niveli i tyre nuk është ai që ne e kërkojmë. Përgjegjësia e çdo inspektori është shumë e madhe, sepse ata janë ligjzbatues të çdo dispozite ligjore të Republikës së Kosovës, dhe niveli i profesionalizmit duhet të jetë shumë i lartë për të bërë një punë sa më të mirë.

BLLM: Pyetja paraprake ishte me shkas, pasi zhvillimi dhe avancimi i teknologjisë kanë krijuar profesione të reja, si call center-et apo shpërndarësit e ushqimit me mjete motorike, të cilët janë të ekspozuar në rrezik dhe shpesh janë edhe të mitur. E dimë që trafiku është kompetencë e policisë, por si qëndron çështja për këta punëtorë?

HN: E vërtetë. Këta individë janë pjesë e komunikacionit dhe mbikëqyren nga policia. Megjithatë, ligji që zbatojmë ne nuk i parasheh aksidentet në komunikacion si aksidente në vendin e punës. Këto raste hyjnë në fushën e institucioneve të sigurisë dhe nuk janë në domenin tonë të drejtë. Por, është e qartë se kjo është një problematikë dhe shpresojmë që ligji i ri do të adresojë shumë nga këto çështje.

BLLM: Po mediat si qëndrojnë? Sa shkeljen të drejtat e gazetarëve dhe punëtorëve në media? A guxoni t’i ndëshkoni mediat?

HN: Po, patjetër!

BLLM: Po të pyes retorikisht, a guxoni t’i ndëshkoni? E di që në aspektin ligjor mundeni.

HN: Po, e kuptoj. Ne kemi pranuar ankesa nga punëtorët e mediave, si gazetarë, montazherë, dhe punëtorë të tjerë, dhe kemi iniciuar inspektime si për çdo subjekt tjetër dhe kemi shqiptuar gjoba kur është e nevojshme. Ka raste të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve në media, dhe ne i inspektojmë ato si pjesë e inspektimeve tona të rregullta. Edhe këtë vit kemi planifikuar inspektime të rregullta për mediat. Kur gazetarët vijnë tek ne për ndonjë intervistë apo prononcim ne i pyesim pasta për kushtete tyre të punës, megjithatë, gazetarët shpesh nuk janë bashkëpunues.

BLLM: Çfarë të drejtash shkelën zakonisht në media?

HN: Shkeljet më të zakonshme përfshijnë moskompensimin e orëve jashtë orarit, moskompensimin e orëve të festave, shkëputjen e njëanshme të kontratës, dhe moslejimin e qasjes në pushimet e lehonisë. Ka pasur raste kur punëtorët janë larguar nga puna kur është kuptuar se se janë shtatëzëna.

BLLM: A jeni i majtë me bindje ideologjike?

HN: Hahaha…

BLLM: Nuk është pyetje për të iu asocuar me pushtetin aktual, por e majta si ligjërim është më afër punëtorëve, prandaj po iu pyes. 

HN: Unë jam një shërbyes civil i nivelit të lartë, dhe këtu kam rolin e kryeinspektorit, siç e përcakton Ligji i Veçantë i Inspektoriatit të Punës. Bindjet politike nuk duhet të ndikojnë në mënyrën se si ushtroj këtë detyrë. Pavarësisht bindjeve personale, është thelbësore që të punohet me përkushtim për të drejtat e punëtorëve. Inspektoriati i Punës ka pasur sfida të mëdha që nga krijimi i tij, dhe kjo ka ndikuar që shumë njerëz të largohen nga Republika e Kosovës për shkak të presioneve të padrejta nga punëdhënësit.

Ndërkohë, në këtë legjislaturë dhe këtë qeveri, Inspektoriati ka marrë më shumë vëmendje, çka ka rezultuar në dyfishimin e buxhetit, rritjen e stafit dhe numrin e inspektimeve, si dhe përmirësime të tjera që i përmenda. Këto ndryshime kanë kontribuar në një përmirësim të dukshëm të të drejtave të punëtorëve në Kosovë gjatë dy viteve të fundit. Por kjo është një maratonë dhe ka shumë punë për të bërë.

BLLM: Faleminderit për këtë bisedë dhe për ndarjen e këtyre informacioneve. Megjithatë, më duhet të jem i sinqertë dhe kritik: edhe pse mund të ketë ka patur përmirësime, problemi i mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve në Kosovë mbetet i thellë edhe me këtë qeveri.

HN: Unë them se këto ndryshime kanë kontribuar në një përmirësim të dukshëm të të drejtave të punëtorëve në dy viteve të fundit. Por sigurisht që problem do të ketë edhe pas disa vitesh, kjo është një maratonë dhe ka shumë punë për të bërë. Është një proces i gjatë dhe kompleks, por ne jemi të angazhuar të bëjmë ndryshime të prekshme dhe të qëndrueshme për të përmirësuar kushtet e punës dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

BLLM: Faleminderit për kohën!

HN: Ju falenderoj juve!


Mbi autorin

Halim Kafexholli i ka kryer studimet baçelor për gazetari në Universitetin e Prishtinës. Halimi ka punuar në revistën Prishtina Insight të organizatës BIRN Kosovo. Ai po ashtu është përfitues i programit Bursa në Gazetari për të Drejtat të Njeriut (cikli 2018 dhe 2020) nga Kosovo 2.0 dhe ka punuar si gazetar në gazetën Nacionale.


Fotografitë: Halim Kafexholli

Ky publikim është i mbështetur nga European Endowment for Democracy (EED)

Visited 273 times, 1 visit(s) today
Close