fbpx

Gurët dhe dheu janë gjithçka që shohin sytë përreth një fushe të vogël futbolli në një fshat të thellë të Malishevës. Ky terren sintetik, i rrethuar me tela, po u shërben një grupi vajzash të mitura që ndjekin një pasion, një identitet, një ëndërr dhe një dëshirë për të thyer barrierat brenda një bote që shpesh duket e mbyllur për to.

“KFF Shqiponjat” quhet klubi i fshatit Drenoc, përmes së cilit Erblina Kraniqi, një vajzë 15-vjeçare nga Drenovci, ka zgjedhur ta fillojë ëndrrën e saj, për të cilën është shumë e vetëdijshme se nuk është aspak e lehtë. “E di që për neve çikat është më zor, po prej që e mbaj mend vetën kam qenë marak në futboll,” thotë Erblina.

Në këtë fushë me mungesën e theksueshme të kushteve bazike, ajo është duke ndjekur ëndrrën e saj, një ëndërr që kërkon më shumë se sa një pasion – kërkon një luftë të përditshme kundër paragjykimeve. “Plot më thojnë për me lanë (futbollin) se beagi nuk është futbolli për vajza,” tregon mesfushorja, duke lënë të kuptohet se kjo është më shumë se një aktivitet për të dhe nuk e ka ndërmend të heqë dorë, pavarësisht që është e vetëdijshme se po ecën në një terren të pasigurt.

Të njëjtën vendosmëri ndan dhe Aulona Krasniqi, një 14-vjeçare e cila është e lidhur ngushtë me arenën e vogël të fshatit, pasi gati gjysmën e viteve të jetës së saj e ka përmbushur me futbollin. Duke përmendur periudhat e ndalimit dhe kthimit, Aulona thotë se që nga mosha nëntëvjeçare merret me futboll. Ajo di kush është Kosovare Asllani, por nuk guxon të ëndërrojë aq larg. “Mua më pëlqen Real Madridi dhe kam qejf me mbrri si Kosovare Asllani, amo se di a muj,” shprehet ajo, megjithatë një tjetër synim e ka të qartë. “Synimi jem është që një ditë me arritë me lujtë për përfaqësuesen e Kosovës ose të Shqipërisë.”

Në këtë fushë të vogël, me sfida të mëdha, historia e këtij klubi modest fillon me Donald Krasniqin si themelues. Si një ish-futbollist profesionist i cili nuk pati fatin t’i prekë ëndrrat e tij, ai po sfidon veten që të bëhet pikënisje për ëndrrat e tjetrit, dhe për këtë synim ka zgjedhur vajzat, sepse thotë që Malisheva kishte nevojë për një klub vajzash.

Tashmë që janë bërë pesë vite nga themelimi, Krasniqi thotë që fillimet kanë qenë shumë të vështira, sepse interesimi i vajzave për futboll ka qenë i papërfillshëm. “Stërvitjen e parë e kemi fillu vetëm me dy vajza, por gjatë rrugëtimit jemi rritur,” tregon Donald, duke theksuar vështirësitë e para. “Pas disa muajsh, kanë ardhur edhe 20 vajza gradualisht,” tregon ish-futbollisti i Kukësit, i cili me vajzat garojnë në kampionatin U17 të Kosovës.

Megjithë entuziazmin dhe punën vullnetare që po e bën Krasniqi, meqenëse nga ky angazhim thotë që nuk paguhet, ai tregon se aspekti financiar është shumë sfidues për ta, dhe mbështetja pothuajse e vetme që kanë është një shumë 2,900 euro nga Komuna e Malishevës në kuadër të thirrjeve publike. “Financimi është problemi kryesor i klubit tonë, kemi shumë telashe me financa. Prej federatës kemi përfituar shumë pak në fillim, por tash edhe prej tyre nuk po kemi, vetëm diçka modeste prej komunës dhe kaq,” thotë Krasniqi, i cili thotë se e ka të pamundur të mbulojë shpenzimet e vajzave që vinin nga larg fshatit. “Unë kam pasur vajza edhe prej Rahovecit dhe Skenderajt, por më nuk i kam, se nuk mundem me i mbulu shpenzimet e tyre.”

Mirëpo, që nga vitet e para pas luftës, futbolli i femrave në Kosovë ka bërë thuajse aspak progres. Afërdita Fazliu, një ndër pionieret e para të këtij sporti, thotë se vështirësitë e njëjta i kishte pasur edhe ajo, edhe pse karriera e saj kishte filluar tash e 40 vite mbrapa. E lindur në fshatin Turiqevc të Skenderajt, Fazliu thotë se në atë kohë, aq më tepër në mentalitetin e fshatit, ka qenë problematike edhe gjinia mashkullore të merrej me sport, për shkak se fshati ka prioritete, ka obligime tjera dhe “sporti është llogaritur më shumë si luks.”

Fazliu kujton se si rekreacionet në oborre, livadhe dhe pjesë të pashfrytëzuara për bujqësi ishin terrenet e para të lojës. Aftësitë e saj u zbuluan që në klasën e pestë, kur mësuesi i edukatës fizike e vërejti talentin e saj dhe e përfshiu në ekipin e meshkujve të klasës. “Në klasë të pestë jam përzgjedhur që të jem pjesë e ekipit të meshkujve të klasës,” thotë ajo, duke kujtuar vitet ’80.

Në vitin 1984, në Prishtinë kishte filluar një iniciativë për formimin e një klubi futbolli për femra dhe për Fazliun ishte një mundësi që duhej të shfrytëzohej, sepse në atë kohë shumë republika të ish-Jugosllavisë e kishin aktiv futbollin e femrave. Ndërsa në Kosovë, klubi i parë i femrave, Prishtina, u formua në vitin 1984 ku Afërdita Fazliu, në moshën 14-vjeçare, u bë pjesë e klubit. Ajo luajti si mesfushore dhe më pas u bë kapitene e ekipit deri në sezonin 90-91, kur karriera e saj si lojtare aktive u ndërpre për shkak të situatës politike.

Duke kujtuar sfidat e përditshme të një lojtareje që duhej të ndërronte tre autobusë për të mbërritur në Prishtinë për stërvitje. Pas mbylljes së klubit, ajo u detyrua të riorganizonte jetën e saj, duke përfunduar shkollën e mesme në Prizren dhe më vonë fakultetin e kulturës fizike për të punuar si mësimdhënëse në shkollën “Hasan Prishtina” në kryeqytet. “Realisht ajo ishte një përmbushje e boshllëkut për vete, por edhe një mundësi që futbollin ta përcjell tek gjeneratat e reja. Aty kam punu 10 vjet,” tregon ajo.

Në foto: Afërdita Fazliu – ish-selektore e ekipit të Kosovës në futboll

Ëndërrimtaret e braktisura

Edhe pse që nga viti 2003 daton Ligji për Sport në Kosovë, i cili përcakton rregullat dhe procedurat për të gjitha organizatat sportive pavarësisht gjinisë, futbolli i femrave në Kosovë, përkundër përpjekjeve dekadëshe të entuziastëve të sportit dhe formimit të klubeve të reja, vajzat vazhdojnë të përballen me paragjykime shoqërore dhe mungesë të mbështetjes institucionale. Infrastruktura e kufizuar dhe mungesa e investimeve vazhdojnë të pengojnë zhvillimin e këtij sporti.

Afërdita Fazliu, e cila ka qenë edhe selektorja e parë e Kombëtares së Femrave në Futboll, thotë se kjo ka qenë pjesa më e vështirë e fillimit të një pune për të, pasi themelimi i ekipit kombëtar të femrave ishte kusht nga FIFA dhe UEFA. 

Ekipi u grumbullua në vitin 2017, mirëpo Fazliu thotë se ishin në një situatë krejtësisht të papërgatitur. “Duke e pasur parasysh që kemi pasur shumë pak numër të femrave që merren me sport, dhe të bëhesh selektore e të kesh krejt 20 vajza që mund të identifikohen, ka qenë shumë sfiduese. Vajza që realisht kanë një teknikë të futbollit, se unë kam pasur vajza që nuk kanë pasur më tepër se 9 muaj eksperiencë në futboll dhe ka qenë dashur me i marrë në përfaqësuese dhe me luajtur kundër një Holande apo kundër një Polonie që janë fuqi,” thotë Fazliu për Bllok Magazinë.

Edhe pse në tetor të vitit 2023, Federata e Futbollit e Kosovës bëri lansimin e Strategjisë për Futbollin e Femrave për të fuqizuar çdo vajzë dhe grua përmes futbollit, që ka për qëllim të nxisë aftësitë e tyre sportive dhe ndërpersonale, duke sfiduar dhe riformësuar perceptimet shoqërore, Afërdita Fazliu inkurajon vajzat që merren dhe dëshirojnë të merren me futboll të drejtohen edhe nga edukimi dhe të mendojnë një profesion të dytë, sepse sipas saj është e pamundur të jetohet vetëm përmes futbollit. “Vajzat duhet ta kenë në ndërgjegje se kohën aq sa ia kushtojnë sportit duhet t’i kushtojnë edhe edukimit, faktikisht arsimimit, që ato ta kenë edhe një profesion tjetër, që në njëfarë forme është një lloj penalizimi kur fillon ti karrierën dhe duhet patjetër të mbash dy brende,” thotë ajo me zhgënjim.

Edhe për Donald Krasniqin, është shumë dekurajuese për vajzat të merren me futboll apo sporte kolektive, sepse, siç ai thotë, përfitimet financiare janë pothuajse zero. “Shkaku i kushteve dekurajohen vajzat e talentuara me u marrë me futboll. Unë kam 4 vajza në klub shumë të talentuara, por nuk jam shumë i bindur në insistimin e tyre për futboll sepse do ta kuptojnë që përmes futbollit është shumë e vështirë të jetohet,” thotë ai.

Statistikat buxhetore nuk janë publike se sa para ndahen në vit për futbollin e femrave; kombëtaren dhe nivelet zyrtare garuese. Bllok Magazine ka kërkuar sqarim nga Federata e Futbollit e Kosovës për një gjë të tillë, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkaq, për gazetaren e sportit Qeqa Krelani, futbollistet vajza janë “krejtësisht të vetme” në synimet e tyre, dhe ato marrin vëmendje dhe mbështetje vetëm nëse arrijnë majat e suksesit, por jo edhe më herët. “Deri në atë pikë lihen vetëm, nuk kanë ndihmë financiare, nuk kanë mbështetje institucionale. Pra, ato performojnë si ëndërrimtare duke mos pasur asnjë garanci që edhe nëse e mbërrijnë suksesin, do të mbështeten në çfarëdo forme,” thotë gazetarja e televizionit publik, e cila kur pyetet nëse mund një vajzë të jetojë përmes futbollit, është e prerë: “Jo, as që bëhet fjalë, duhet patjetër një punë e dytë.”

Opinion të njëjtë ka edhe Fazliu: “Nëse referohemi në përgjithësi dhe nëse i referohem ligës, unë mendoj që ende nuk jemi në atë situatë që mundemi me jetu me futboll.”

“Nëse referohemi në përgjithësi dhe nëse i referohem ligës, unë mendoj që ende nuk jemi në atë situatë që mundemi me jetu me futboll.”


Afërdita Fazliu

Nën-prezentimi mediatik

Përveç të gjitha problemeve përcjellëse, futbolli i femrave në Kosovë vazhdon të vuajë nga mungesa e hapësirës televizive. Përkundër përpjekjeve dhe përkushtimit të lojtareve dhe klubeve, mediat tradicionalisht i kushtojnë pak vëmendje këtij sporti dhe ndeshjet dhe aktivitetet e futbollit të femrave rrallë transmetohen, duke lënë talentet e reja dhe arritjet e tyre në hije. Kjo mungesë ekspozimi e bën më të vështirë për ekipet e femrave të sigurojnë sponsorë dhe mbështetje, duke ndikuar negativisht në rritjen dhe zhvillimin e sportit në vend.

Sipas gazetares Krelani, mospërfaqësimi mediatik mbase nuk ndikon në ëndrrën e tyre, por ndikon në rrugën e tyre të ndërtimit si sportiste. 

“Përfaqësimi pozitiv dhe i respektueshëm mediatik i sportisteve femra si të afta, të përkushtuara dhe që meritojnë njohje mund të ketë efektin e kundërt, duke i frymëzuar vajzat të marrin pjesë në sport, të ndjekin pasionet e tyre dhe të sfidojnë stereotipet,” thotë gazetarja Krelani, e cila raportimin për futbollin e ka specifikë profesionale.

Megjithatë, kjo neglizhencë mediatike nuk ndodhë vetëm në Kosovë. Edhe në nivel global, futbolli i femrave vazhdon të përballet me një mungesë të theksuar të mbulimit mediatik dhe ekspozimit televiziv, që gjithashtu dëmton mundësitë për financime dhe sponsorizime të rëndësishme. Një studim i realizuar nga USC/Purdue University (Universitet në ShBA) zbuloi se 95% e mbulimit të sporteve në televizion në SHBA përqendrohet në sportet e meshkujve, ndërsa vetëm 5% është dedikuar sporteve të femrave. 

Po ashtu, një hulumtim i YouGov në Mbretërinë e Bashkuar (2021) tregoi se 78% e të anketuarve ndjekin më shumë sporte për meshkuj, dhe 31% e tyre shprehen se nuk angazhohen në sportet e femrave për shkak të mungesës së mbulimit.

Ndërkaq, në Kosovë, ligën e futbollit të femrave nuk e transmeton asnjë kanal televiziv apo platformë mediatike. 

Ish-selektorja Fazliu thotë se, për dallim nga djemtë, opinioni në Kosovë mund të dëgjojë për një vajzë të suksesshme vetëm kur ato marrin ndonjë medalje ose ndonjë sukses global. 

“Tek meshkujt në përgjithësi, duke filluar prej grupmoshave të reja, ju kushtohet shumë vëmendje, për dallim nga femrat, të cilave pjesa e angazhimit, e përkushtimit, e punës dhe sakrificës kalon më tepër vetëm në supet e tyre. Futbollistët meshkuj prej U9, U12 e tutje fillojnë me i pregatitë e me i pasqyru në media,” thotë ish-mesfushorja e Prishtinës.

Një gol për barazinë

Në një mjedis ku futbolli ka qenë tradicionalisht një territor mashkullor, vajzat që kanë guxuar të hapin rrugën për të shkuar përpara kanë hasur në shumë sfida. Të dhënat dhe burimet e limituara, si dhe mbështetja e pamjaftueshme nga institucionet dhe komunitetet, janë bërë pengesa të mëdha. Këto pengesa nuk janë ndaluar vetëm në nivelin e strukturave dhe financave, por gjithashtu në nivelin e përkrahjes sociale dhe perceptimeve kulturore.

Mirëpo, futbolli i femrave ka sfiduar dhe thyer edhe tabu edhe në shoqëritë e ngarkuara me paragjykime siç është në Kosovë, duke sfiduar përkufizimet gjinore dhe duke hapur rrugë për ndryshime të rëndësishme në shoqëri. Futbolli i meshkujve tradicionalisht ka qenë i rezervuar për meshkujt edhe në ndarjen e drejtësisë, pasi që deri para disa vitesh futbolli elitar është arbitruar vetëm nga burrat. Mirëpo, së fundmi, ky stereotip është sfiduar dhe kanë filluar të thyhen tabu, duke hapur rrugë për ndryshime të rëndësishme në shoqëri.

Në foto: Rita Vehapi – Gjyqtare e Ligës së Parë në Kosovë

Rita Vehapi, një ish-futbolliste e talentuar, është një nga vajzat që ka thyer barrierat dhe ka hapur rrugë për gratë në referimin sportiv në Kosovë. Rita e kishte nisur udhëtimin e saj në botën e futbollit si një vajzë e vetme që luante me djemtë e lagjes. “Si fëmijë, kam qenë e vetmja vajzë që luante me djemtë e lagjes,” kujton ajo me një ndjenjë krenarie. Ky fillim i guximshëm e çoi në KFF Ulpiana në vitin 2013, ku shërbeu si kapitene e ekipit dhe më pas luajti në disa klube të tjera të Kosovës dhe Maqedonisë.

Kur karriera si futbolliste përfundoi në vitin 2022, ajo nuk mundi të qëndronte larg futbollit duke u drejtuar në fushën e referimit sportiv, dhe aktualisht referon në Ligën e Parë të futbollit të Kosovës në kategorinë e meshkujve. “Kur e përfundova karrierën si futbolliste, fillova të ndjek ligjëratat për referim dhe të kontribuoj në këtë fushë që e dua,” shpjegon ajo. Sipas saj, ky vendim ishte edhe një përpjekje për të sfiduar normat dhe për të krijuar hapësira për gratë në një fushë të dominuar nga meshkujt, duke pranuar se referimi nuk është një profesion i mirëfilltë në aspektin financiar. “Për momentin, pagesat nuk janë të kënaqshme, por referimi nuk është burimi im i vetëm i të ardhurave,” shpjegon ajo, duke u treguar optimiste për përmirësimet që do të vijnë në të ardhmen. Ndërkaq, sfida më e madhe thotë se ka qenë përballja me paragjykime në fillim të karrierës, por tashmë konsideron se ato janë duke u eliminuar.

Ndërsa kur përmendet trajtimi i grave në sport, Rita pranon se ka dallime të vazhdueshme. “Ekziston një dallim në mënyrën se si trajtohen gratë dhe meshkujt në fushën e lojës. Ka dallime, por nuk më ndalon asgjë të arrij synimet e mia dhe të avancoj në karrierë,” thotë Vehapi, e cila është e çertifikuar me stemën e FIFA-s dhe po angazhohet të bëhet një gjyqtare në Superligën e Kosovës, por edhe t’i arrijë kampionate ndërkombëtare.

Megjithatë, ekzistojnë edhe shpjegime se futbolli i meshkujve është më interesant dhe merr vëmendje për shkak të dimensioneve dhe përparësive fizike që karakterizojnë lojtarët. Ky perceptim shpesh sjell një vëmendje më të madhe për futbollin e meshkujve, duke e bërë më tërheqës për ata që kërkojnë spektakël. Megjithatë, ky fokus në aspektet fizike shpesh injoron thelbin e lojës dhe potencialin e futbollit të femrave, që ofron gjithashtu pasion, teknikë dhe strategji të jashtëzakonshme.

Aktivistja për të drejtat e grave, Arta Avdiu, thotë se ky perceptim është seksist dhe pretendojnë ta paraqesin gjendjen biologjike si hendikep për të shpjeguar pabarazinë gjinore. “Gratë dhe vajzat janë më të dobëta në sport, sepse stërviten më pak e jo se janë biologjikisht më të dobëta. Gratë dhe vajzat, për dallim nga burrat, kanë trajnerë më amatorë,” thotë Avdiu, duke shtuar se tentohet të paraqitet amatorizmi i grave në sport si fakt biologjik, në mënyrë që të mirëmbahet supremacia e pretenduar e burrave. Sipas saj, “sporti është kalaja e fundit, e cila ruan me fanatizëm seksizmin përmes segregimit gjinor. Anashkalohet fakti historik se në sportin e grave investohet më pak dhe se vajzat dekurajohen të merren më sport.”

Avdiu argumenton se sportistja më e suksesshme në Kosovë është një grua, por nuk përdoret si model. “Për shembull, personi më i suksesshëm sportiv në historinë e Kosovës është një grua, Majlinda Kelmendi, por ne nuk e shohim atë si një rol model për vajzat e reja. Nuk na ndodhë të shohim vajza të reja me fanella me mbishkrim “Majlinda Kelmendi”, siç shohim pa fund djem me fanela të Edon Zhegrovës, Rashicës, Muriqit etj,” kritikon Avdiu.

Gazetarja Qeqa Krelani thotë se përmes sportit janë bërë përpjekje në luftimin e stereotipeve, por sipas saj mungesa e burimeve, pabarazitë në financim, dhe mbulimi i pakët mediatik janë pengesa elementare për to. Madje, Krelani është e ashpër edhe për mënyrën se si mediat mbulojnë raportimet për sportistet vajza. Sipas saj, ka një interpretim të deformuar mediatik. “Kur mbulimi mediatik i sporteve të grave fokusohet më shumë në faktorë si pamja ose jeta personale sesa arritjet atletike, dërgon mesazhin se vajzat dhe gratë nuk janë aq të afta apo serioze për sportin, gjë që mund të jetë demoralizuese dhe të krijojë një mjedis armiqësor për vajzat në sport,” thotë ajo.

Për Arta Avdiun, triumfet janë të rezervuara vetëm për burrat dhe sipas saj, edhe mediat janë pjesë e mendësisë që besojnë në hendikepin biologjik të grave dhe se sporti i tyre do të mbetet amator. “Vitin e kaluar është mbajtur kampionati botëror i futbollit të grave. Cila media e ka transmetuar atë?” pyet retorikisht ajo.

Për pioneren e futbollit, Afërdita Fazliu, që një vajzë të ketë sukses në futboll, vullneti dhe përkushtimi duhet të jenë shumëfish më të madh se i djemve. “Ato vajza duhet ta duan futbollin jo 100 për qind por 200 për qind, sepse dëshira, vullneti dhe përkushtimi duhet të jenë të hekurta,” thotë ajo, duke përcjellur një mesazh për të motivuar vajzat që kanë zgjedhur rrugën e futbollit. 

“Kur kam qenë trajnere tek përfaqësuesja, më shumë jam ndjerë si mësuese motivuese se sa selektore,” përfundon ish mesfushorja.


Mbi autorin

Halim Kafexholli i ka kryer studimet baçelor për gazetari në Universitetin e Prishtinës. Halimi ka punuar në revistën Prishtina Insight të organizatës BIRN Kosovo. Ai po ashtu është përfitues i programit Bursa në Gazetari për të Drejtat të Njeriut (cikli 2018 dhe 2020) nga Kosovo 2.0 dhe ka punuar si gazetar në gazetën Nacionale.


Fotografitë: Rita Vehapi

Ky publikim është i mbështetur nga European Endowment for Democracy (EED)

Qëndrimet në artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.

Visited 580 times, 1 visit(s) today
Close